Home Page / Announcements

Menaxhimi i krizave dhe të rinjtë, trajnohen 80 mësues dhe drejtorë shkollash

Më shumë se 80 drejtorë dhe mësues të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare  të Drejtorisë Arsimore Tiranë morën pjesën në seminarin trajnues me temë: “Menaxhimi i institucioneve dhe krizave në arsimin parauniversitar”. Seminari u organizua nga Qendra për Edukimin e Vazhdueshëm dhe Formimit Profesional në Universitetin “Hëna e Plotë-BEDËR” në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Tiranë. 

Gjatë seminarit u trajtuan tema që kanë të bëjnë me qasjen e të rinjve me zhvillimet teknologjike të kohëve të sotme, përfitimet dhe nevojat për t’i shfrytëzuar pozitivisht, por edhe problematikat që hasen shpesh nga keqpërdorimi i tyre.

Tematika të tjera të trajtuara ishin ato që kanë të bëjnë me qasjen e mësuesve ndaj kodit etik që parashikon profesioni i tyre dhe respektimi i tij me qëllim shmangien e konflikteve, por edhe strategjitë e menaxhimit institucional apo të drejtat dhe detyrimet që kanë mësuesit dhe nxënësit në institucionet e arsimit parauniversitar.

Seminari u zhvillua në formë bashkëbisedimi ku lektorët dhe mësuesit ndanë eksperiencat e tyre në fushën e edukimit të brezit të ri. 

04.04.2014