Home Page / Announcements

Ndahen çmimet Mësuesi i vitit 2013, vlerësohet mësuesi Arian Gani

Universiteti Hëna e Plotë- BEDËR ndan çmimet  “Mësuesi i Vitit” 2013. Në një ceremoni të veçantë, të organizuar në ambientet e universitetit, mësuesi I Shkollës së gjuhëve të huaja, “Mahmut dhe Ali Cungu” në Elbasan, z. Arian Gani është vlerësuar me çmimi për kontributin e dhënë në vite në mësimdhënie.

 Përzgjedhja e mësuesit më të mirë të vitit 2013 është realizuar pas një faze dymujore anketimi në të gjithë shkollat e vendit. Ky është viti i dytë që Universiteti Hëna e Plotë Bedër organizon ceremoninë e cmimeve për mësuesin e vitit. Projekti “Mësuesi i Vitit” është iniciuar nga Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit, me qëllim vlerësimin e rolit të mësuesit në edukimin e të rinjve dhe promovimin e vlerave më pozitive që përfaqësohen nga arsimtarët.Universiteti Hëna e Plotë- BEDËR i akordoi z. Arian Gani, çertifikatën e vlerësimit si dhe një shpërblim financiar.

Gjata fjalës përshëndetës, Dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit, Dr. Ahmet Ecirli nënvizoi rolin e rëndësishëm që mësuesit kanë në edukimin e brezave të rinj duke theksuar se vlerësimi I kontributit të tyre është një detyrim për shoqërinë.

Ndërsa rektori i Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve vuri theksin në kontributin e paçmuar që japin arsimtarët shqiptarë në çdo shkollë të vendit. Sipas tij janë të shumtë arsimtarët që meritojnë një vlerësim të veçantë. “Ne jemi të bindur që në vitet e ardhshme, ky projekt do të konsolidohet dhe do të kthehet në një traditë të bukur, ku çdo vit do të nderojë emrat më të spikatur të arsimit shqiptar” u shpreh Dr. Ferdinand Gjana.

Ndërkaq Drejtori i Arsimit Parashkollor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, z. Fatmir Vejsiu u shpreh i entuziazmuar në lidhje me projektin për vlerësimin e mësuesve të vitit 2013. Ai tha se projekti i iniciuar nga Universiteti Hëna e Plotë- BEDËR, është një iniciativë e vyer dhe shërben si një shembull pozitiv që duhet të ndiqet dhe nga institucionet e tjera arsimore në vend.

11.09.2013