Home Page / Announcements

Teknikat e reja të mësimdhënies dhe të nxënit, CEPD trajnon 250 mësues

Nxitja e nxënësve që të angazhohen gjatë mësimit është një sfidë më tepër për mësuesit e kohëve të sotme, në kushtet aktuale ku për arsye të ndryshme vërehet një rënie e përgjithshme e interesit për të mësuar.

Nga ana tjetër, ndryshimet e shumta sociale si edhe qasja e të rinjve ndaj zhvillimeve të vrullshme të teknologjisë bëjnë që mësuesit dhe pedagogët të përballen më një psikologji të ndryshme të nxënësve apo studentëve krahasuar me pesë apo dhjetë vite më parë.

Në këtë kuadër, Qendra për Edukimin e Vazhdueshëm dhe Formimit Profesional në Universitetin “Hëna e Plotë-BEDËR” zhvilloi gjatë javës që sapo mbyllëm një cikël trajnimesh me mësues të shkollave të ndryshme të qytetit të Tiranës, të mesme dhe 9-vjeçare.

Tema e trajnimit ishte: “Njohja e problematikave të të nxënit, si një formë e përmirësimit të mësimdhënies”. Gjatë këtij trajnimi u ndanë me pjesëmarrësit eksperiencat ndërkombëtare për format e reja didaktike të mësimdhënies, nxënien e mësimit që në klasë, rritjen e dëshirës së nxënësit për të mësuar si edhe rritjen e bashkëpunimit midis nxënësve. 

Trajnimi u bë në kuadër te angazhimit të Qendrës për Edukimin e Vazhdueshëm dhe Formimit Profesional në Universitetin “Hëna e Plotë-BEDËR”, për dhënien e një kontributi në përmirësimin e cilësisë së mësimdhenies në sistemin arsimor te vendit.

Trajnuesi, Muhammet Mertek, ka një eksperiencë 30 vjeçarë në fushën e edukimit në Hamm të Gjermanisë. Ai gjithashtu është autori i tre librave në lidhje me edukimin dhe teknikat e reja të edukimit, të cilat zbatohen aktualisht në vende të ndryshme perëndimore. 

18.04.2014